Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar në Zveçan se marrja nën kontroll e stacionit hekurudhor nuk ka të bëjë me fushatën zgjedhore, por me zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në gjithë territorin e Kosovës.
Me praninë e disa ministrave në detyrë dhe asistimin e Policisë së rajonit të veriut, autoritetet e Kosovës kanë marrë të enjten nën kontroll objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, pranë kompleksit “Trepça”.
Gjatë aksionit është larguar mbishkrimi në alfabetin cirilik dhe është vendosur një tabelë e re në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe flamuri i Kosovës.
I pyetur nga gazetarët nëse aksioni lidhej me fillimin e fushatës zgjedhore, Sveçla e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se bëhet fjalë për detyrë institucionale për garantimin e rendit dhe ligjit në të gjithë vendin.
Ai ka shtuar se çdo institucion që vlerësohet si “ilegal dhe paralel” do të jetë subjekt i veprimeve të institucioneve kompetente.
Ndërkohë, i pyetur për të ardhmen e stacionit hekurudhor dhe mundësinë e funksionalizimit të tij, Sveçla ka thënë se objekti është pjesë e rrjetit hekurudhor të Kosovës dhe do të përfshihet në projektet për rindërtimin e tij.
Edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se pas Zveçanit, veprime të ngjashme planifikohen edhe në Leposaviq dhe Leshak.
