UBT News

Kosova me tre sportistë në Lojërat Olimpike për të Rinj në Dakar

Kosova do të përfaqësohet nga tre sportistë në edicionin e katërt të Lojërave Olimpike për të Rinj, të cilat do të zhvillohen nga 31 tetori deri më 13 nëntor në Dakar të Senegalit.

Në këtë ngjarje të rëndësishme sportive pritet të marrin pjesë 2 mijë e 654 sportistë të moshave 15 deri në 18 vjeç, nga vende të ndryshme të botës.

Ekipin e Kosovës do ta përbëjnë xhudistja Arba Hasanaj, taekwondistja Shega Sejdiu dhe atleti Eris Abdullahu, i cili jeton dhe stërvitet në Gjermani dhe do të udhëtojë drejtpërdrejt drejt Senegalit.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka mbajtur të martën një konferencë për media, gjatë së cilës ka prezantuar sportistët që do ta përfaqësojnë vendin në këtë garë ndërkombëtare.

Kjo do të jetë pjesëmarrja e dytë e Kosovës në Lojërat Olimpike për të Rinj, pas debutimit në vitin 2018 në Buenos Aires të Argjentinës.

Në atë edicion, Kosova ishte përfaqësuar nga pesë sportistë, ndërsa suksesin më të madh e kishte arritur xhudistja Erza Muminoviq, e cila kishte fituar medaljen e bronztë.

Pjesëmarrja në Dakar përfaqëson një tjetër mundësi për sportistët e rinj kosovarë që të dëshmojnë potencialin e tyre në arenën ndërkombëtare dhe të vazhdojnë traditën e sukseseve të sportit të Kosovës.

D.L

Exit mobile version