Kosova do të përballet me Qipron në një ndeshje të rëndësishme për Ligën e Kombeve, që do të luhet në transfertë në orën 18:00. Ky është takimi i dytë për edicionin e ri të Ligës së Kombeve dhe një mundësi për të besuarit e Franco Fodës të rikthehen te rezultatet pozitive pas humbjes 3-0 në shtëpi ndaj Rumanisë.
Për këtë takim, trajneri Franco Foda ka bërë disa ndryshime të rëndësishme në formacionin startues. Në mungesë të Arijanet Muric, Visar Bekaj do të jetë portieri i parë. Ndërkohë, Donat Rrudhani do të marrë një rol të rëndësishëm në mesfushë, ndërsa Lindon Emërllahu, ylli i Ballkanit, është i preferuari i Fodës për të mbushur një pozicion kyç në mesfushë. Po ashtu, Ermal Krasniqi do të nisë nga minuta e parë në fazën e sulmit.
Ndeshja e sotme është një mundësi për Kosovën të vazhdojë suksesin e saj ndaj Qipros. Ekipet kanë luajtur më parë dy herë, ku Kosova ka arritur të fitojë në të dy rastet – 5-1 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe 2-0 në transfertë në Qipro.
Kosova është e vendosur të sjellë një performancë të fuqishme dhe të rikthejë besimin te tifozët pas rezultatëve të fundit. Formacioni i publikuar do të ofrojë një pasqyrë të qartë të synimeve të Fodës për këtë ndeshje të rëndësishme./UBTNews/