Dardanët prej që janë grumbulluar këtë vit në kohë pandemie, janë përballur me mungesa të shumta, si shkak i problemeve të ndryshme. Moslëshimet nga klubi, lëndimet e ndryshme, suspendimet, ishin disa prej arsyeve që lojtarët dardanë nuk mund ta përfaqësonin Kosovën në fushën e gjelbër.
Kështu ndodhi edhe ndaj Sllovenisë, ku Kosova ishte në pozicion të palakmueshëm sa i përket mungesave. Benjamin Kololli, Herolind Shala, Milot Rashica, Idriz Voca, Bersant Celina, Florent Muslija, Leart Paqarada, Betim Fazliji e Arbër Zeneli, munguan në sfidën me Slloveninë.
Mirëpo edhe në takimin tjetër ndaj Moldavisë pritet të ketë mungesa në Kombëtaren e Kosovës. Bernard Berisha do t’i shtohet listës së lojtarëve që do t’i mungojë Kosovës në këtë sfidë. Mirëpo është Herolind Shala ai që do të rikthehet në kampin kosovar, pasi që mungonte si shkak i suspendimit, dhe mungesa e tij në mesfushë ndeshjen e fundit, la për të dëshiruar.
Edhe Bersant Celina është në dyshime se a do të jetë pjesë e skuadrës, shkak i një lëndimi që ka pësuar, ndaj edhe është në fazën e rehabilitimit. Kësisoj Kosova, nesër e pret në “Fadil Vokrri”, Moldavinë e cila vjen për fitore, mirëpo edhe lojtarët tanë futen për të nxjerrë rezultat pozitiv nga ky takim, që ju duhet për të mbetur në divizionin C të Ligës së Kombeve./UBTNews