Kosova do të përfaqësohet me një delegacion rekord në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se plot 163 sportistë do ta përfaqësojnë vendin në këtë ngjarje të madhe shumë-sportëshe.
Nga ky numër, 87 janë sportistë meshkuj dhe 76 sportiste femra. Ky është numri më i madh i pjesëmarrësve që Kosova ka dërguar ndonjëherë në një garë të këtij niveli.
Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare nuk kërkon norma kualifikimi, ndërsa KOK-u ka vendosur për një delegacion të gjerë, edhe për shkak se edicioni i vitit 2030 do të organizohet në Prishtinë.
Kosova debutoi në Lojërat Mesdhetare në “Tarragona 2018”, ku u përfaqësua me 40 sportistë. Katër vite më vonë, në “Oran 2022”, numri ishte 38 sportistë. Ndërsa në “Taranto 2026”, që do të zhvillohet në Itali nga 21 gushti deri më 3 shtator, pjesëmarrja është shumëfishuar.
Në këtë edicion do të garojnë sportistë nga 26 vende, në 28 sporte të ndryshme. Kosova do të jetë pjesë e 21 sporteve, ndërsa për herë të parë do të garojë në katër sporte ekipore.
Përfaqësueset e Kosovës do të paraqiten në futboll me ekipin U21 të meshkujve dhe U19 të femrave, në hendboll dhe volejboll me ekipet seniore, ndërsa në basketboll do të garojnë në formatin 3×3.
“Synimi është që ta përfaqësojmë vendin sa më denjësisht”, ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës. Një moment i veçantë do të jetë ceremonia e mbylljes, ku Kosovës do t’i dorëzohet flamuri i Lojërave Mesdhetare si vendi organizator i edicionit të ardhshëm, “Prishtina 2030”.
Përveç sporteve ekipore, Kosova do të garojë edhe në xhudo, boks, atletikë, badminton, çiklizëm, kajakim, karate, mundje, padel, not, peshëngritje, pingpong, shenjëtari sportive, shigjetari, taekwondo, tenis dhe triatlon.
Pritshmëritë më të mëdha për medalje janë te xhudoja dhe boksi, por shpresat janë edhe në disiplinat e tjera.
Në debutimin e saj në Tarragona 2018, Kosova fitoi katër medalje, të gjitha në xhudo. Medalje të arta morën Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Akil Gjakova, ndërsa Loriana Kuka fitoi argjend.
Në “Oran 2022”, Kosova arriti të fitojë gjashtë medalje. Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka fituan të arta, Akil Gjakova dhe Flaka Loxha morën bronz në xhudo, ndërsa Shpëtim Bajoku fitoi medalje bronzi në boks.
Në “Taranto 2026”, Kosova synon ta rrisë edhe më shumë numrin e medaljeve, edhe pse në xhudo, sporti ku vendi ka pasur suksesin më të madh – po zhvillohet një proces i ndërrimit të gjeneratave.
D.L
