UBT News

Kosova mbyll me sukses Kampionatin Ballkanik të Çiklizmit Rrugor

Kosova ka përmbyllur me sukses organizimin e Kampionatit Ballkanik të Çiklizmit Rrugor (BCU Road Balkan Championships), ngjarjes më të madhe të çiklizmit në rajon, e cila këtë vit u zhvillua për herë të parë në vendin tonë.

Pas disa ditësh garash intensive, emocionesh sportive dhe konkurrencës së fortë mes çiklistëve më të mirë të Ballkanit, organizatorët e vlerësuan kampionatin si një arritje të rëndësishme për sportin e çiklizmit në Kosovë.

Sipas tyre, organizimi i një ngjarjeje të tillë ndërkombëtare paraqiti një sfidë të madhe, por njëkohësisht ishte edhe një mundësi e shkëlqyer për të prezantuar para rajonit potencialin organizativ dhe zhvillimin e vazhdueshëm të çiklizmit kosovar.

Në kampionat morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Bullgaria, Qiproja, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Turqia dhe Kosova, të cilat kontribuuan në mbarëvajtjen dhe nivelin e lartë të garave.

Organizatorët theksuan se pjesëmarrja e sportistëve dhe ekipeve nga vendet e rajonit e shndërroi këtë aktivitet në një festë të vërtetë të çiklizmit ballkanik, duke promovuar frymën sportive, bashkëpunimin dhe garën e ndershme.

Mirënjohje të veçantë u shprehën për çiklistët, trajnerët, gjyqtarët, zyrtarët, vullnetarët, sponsorët, partnerët dhe institucionet që kontribuuan në realizimin e kampionatit, duke bërë të mundur zhvillimin e tij sipas standardeve ndërkombëtare.

Përfundimi me sukses i Kampionatit Ballkanik të Çiklizmit Rrugor konsiderohet një dëshmi e qartë se Kosova ka kapacitetin për të organizuar ngjarje të mëdha sportive dhe për të promovuar vendin në arenën ndërkombëtare përmes sportit.

Ky kampionat pritet të mbetet një moment i rëndësishëm në historinë e çiklizmit kosovar dhe një nxitje e fortë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti në vend.

Exit mobile version