UBT News

Kosova, kampione e U18 në basketboll

Kosova ka mposhtur dje Luksemburgun me rezultat 84:58 (26:20, 20:25, 22:3, 16:10) për të triumfuar në FIBA European Challenger, për U18 te meshkujt.

Dardanët në kampionatin që u zhvillua në Tiranë, shënuan katër fitore në katër ndeshje dhe me meritë u shpall kampionë të kësaj gare.

Pas një fillimi të baraspeshuar, basketbollistët e Kosovës arritën në epërsi 20:12, derisa çereku i parë përfundoi 26:20.

Dardanët e rinj vazhduan me lojë të mirë në çerekun e dytë, duke thelluar epërsinë në 34:24, por një seri 0:7 nga ana e Luksemburgut ngushtoi shifrat në 34:31. Kosova sërish mori lojën në duar, duke arritur epërsi 44:36, por më pas kishte një rënie dhe pjesa e parë përfundon 46:45.

Kosova ishte fantastike në çerekun e tretë, që dominoi në mbrojtje dhe në sulm, ku arritën epërsi prej 20 pikësh, 68:48, ndërsa Luksemburgu shënoi vetëm tri pikë për dhjetë minuta. Dardanët menaxhuan lojën edhe në 10 minutat e fundit, madje thelluan edhe më shumë epërsinë, për të triumfuar në fund 84:58.

Te Kosova u dalluan Dion Sheqiri me 14 pikë, 8 kërcime e 9 asistime, Hajriz Hazeri me 11 pikë e 10 kërcime, Rinol Gashi me 13 pikë e 10 kërcime, Visar Ejupi me 14 pikë, Eliot Peci me 13 dhe Bardh Istrefi me 10 pikë.

Vendin e tretë e zuri Shqipëria, të katërtin Andorra, Gjibraltari i pesti, Malta e gjashta dhe Moldavia e shtata.

Exit mobile version