UBT News

Kosova i ofron ndihmë ushtarake Shqipërisë dhe Malit të Zi për përballimin e zjarreve

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u dalë në ndihmë Shqipërisë dhe Malit të Zi me kapacitetet ushtarake, në përballjen me zjarret masive që kanë përfshirë disa zona të këtyre dy vendeve fqinje.

Ministri Maqedonci njoftoi se u ka përcjellë homologëve të tij përkatës ofertën zyrtare për mbështetje përmes kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Në këto ditë sfiduese, kur Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen me zjarre në zona të ndryshme të vendeve të tyre, u kam përcjellë homologëve të mi, ministrave të Mbrojtjes, gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për të ofruar mbështetje me kapacitetet që kemi në dispozicion”, deklaroi Maqedonci.

Ministri theksoi se institucionet e Kosovës mbeten në pritje të vlerësimit të autoriteteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi nëse kjo ndihmë do të jetë e nevojshme në terren.

“Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetje të autoriteteve përkatëse, nëse një ndihmë e tillë vlerësohet e nevojshme. Në momente të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi marrin një rëndësi të veçantë. Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të Republikës mbeten të gatshme të ofrojnë mbështetje”, përfundoi ai.

Exit mobile version