UBT News

Kosova humb mbi 40 milionë euro nga BE-ja për shkak të mosmiratimit të reformave në Kuvend

Kosova pritet të humbasë një pjesë të konsiderueshme të fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Për shkak të mospërmbushjes së reformave të parapara brenda afatit shtesë, që ishte deri më 30 qershor 2026, vendi do të mbetet pa mbi 40 milionë euro nga totali prej 882 milionë eurosh që i takonin.

Lajmin e bëri të ditur koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (IRRrE), Jeton Zulfaj, gjatë një konferencë për media të mbajtur këtë të mërkurë, më 1 korrik. Ai sqaroi se nga 13 hapat reformues që kishin afat shtesë, vetëm shtatë u zbatuan, ndërsa gjashtë të tjerë mbetën të papërfunduar. Sipas Zulfajt, paratë për këta hapa të dështuar humbin përgjithmonë dhe nuk mund të rikuperohen më.

Dështimi kryesor rëndon mbi Kuvendin e Kosovës, pasi rreth 83 për qind e reformave të papërmbushura vareshin pikërisht nga miratimi i ligjeve në parlament. Ndër reformat ligjore që nuk u përfunduan në kohë janë: Ligji për Energjinë dhe Energjinë Elektrike; Sistemi i kontrollit të ndihmës shtetërore; Ligji për Inovacionin dhe ai për Kamatëvonesat; Pakoja e ligjeve për reformën në drejtësi (përfshirë KPK-në dhe KGJK-në); Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar

Pavarësisht kësaj humbjeje, Kosova do të dorëzojë më 16 korrik kërkesën e parë zyrtare tek Komisioni Evropian për të tërhequr fondet për 15 reformat që janë përmbushur me sukses deri në fund të qershorit. Në total, Agjenda e Reformave përmban 111 hapa, ku 49 prej tyre janë ende në proces zbatimi, e ku 27 hapa të tjerë pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti. /E,A/

 

Exit mobile version