Më 20 dhe 21 prill, Biblioteka Kombëtare e Kosovës mori pjesë në aktivitetet e rrjetit TRADUKI, duke shënuar një moment të rëndësishëm në angazhimin e saj ndërkombëtar.
Më 20 prill, Drejtoresha e Bibliotekës mori pjesë në takimin e programit të TRADUKI-t, ndërsa më 21 prill u mbajt takimi i 37-të i Komitetit të këtij rrjeti, ku Biblioteka Kombëtare e Kosovës mori pjesë për herë të parë si anëtarja më e re. Të dyja takimet u mbajtën në Sarajevë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga shtetet anëtare të rrjetit TRADUKI.
Gjatë këtyre takimeve, Drejtoresha prezantoi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, skenën letrare kosovare dhe synimet strategjike të institucionit për zgjerimin dhe integrimin në rrjetin letrar evropian. U theksua në veçanti rëndësia e promovimit dhe përkthimit të letërsisë shqipe, si dhe krijimi i bashkëpunimeve të qëndrueshme me institucione të librit dhe të kulturës në rajon dhe në Evropë.
Kjo pjesëmarrje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të prezencës së Kosovës në rrjetet ndërkombëtare të librit dhe kulturës, duke hapur mundësi të reja për autorët, përkthyesit dhe letërsinë shqipe në përgjithësi.
