UBT News

Kosova ende pa hapa konkretë rreth përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare

Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje multi-sportive që zhvillohen çdo katër vjet. Në vitin 2030, ky organizim do të mbahet në Kosovë. Mirëpo ajo çfarë është raportuar më së shumti nga mediat është mungesa e fillimit të përgatitjeve për organizimin e tyre.

Megjithëse janë edhe gjashtë vjet deri në mbajtjen e këtij aktiviteti madhor, ritmi i punëve dhe investimeve që duhet bërë është mjaft i madh, mirëpo institucionet përkatëse për këtë fushë nuk kanë nisur ndonjë punë konkrete në terren, derisa thonë se janë në përgatitje të infrastrukturës ligjore si dhe masterplanit për Lojërat Mesdhetare.

Pjesa dërmuese e këtyre lojërave do të zhvillohen në Prishtinë, andaj nënkryetari i kësaj komune, Alban Zogaj ka thënë se gjatë katër viteve të ardhshme do të investohen rreth 50 milionë euro në infrastrukturën sportive në kryeqytet, por edhe jashtë tij.

“Presim nisjen e ndërtimit të fshatit olimpik dhe sallave sportive”, tha Zogaj.

Nga ana tjetër, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi pranon se fillimi i përgatitjeve nuk po del të jetë aspak i lehtë, por në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit do të bëjnë më të mirën në këtë drejtim.

Më 8 shtator, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e votoi kandidaturën Prishtina 2030, me 55 vota pro, tetë kundër dhe tri vota të pavlefshme, gjatë një takimi në qytetin grek Heraklion./UBTNews/

Shkroi: Arti Haziraj

Exit mobile version