Kosova ka marrë vetëm një pikë në përballjen e parë të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, duke barazuar 1-1 me Moldavinë
Ndeshja që u zhvillua në Parma të Italisë, solli një gol në 45 minutat e parë dhe ishin moldavët që kaluan në epërsi.
Takimi filloi mjaftë mirë për ‘Dardanët’, që rrezikuan portën e Moldavisë qysh në minutën e katërt, ku nga një harkim i Benjamin Kolollit, nuk përfitoi Amir Rrahmani që i iku topi.
Sulmet e Përfaqësueses tonë vazhduan me Milot Rashicën, Valon Berishën e Kolollin, mirëpo goditjet e tyre nuk ishin precize.
Ishte minuta e 19-të kur Moldavia kaloi në epërsi me anë të Ion Nicolaescut e që ishte vetëm tentimi i dytë për ta.
Kosova tentoi të këndellet nga ky gol i pësuar, duke shtuar presionin edhe më shumë ndaj portës moldave.
Deri në fund të pjesës së parë, tanët kishin edhe disa shanse të mira, mirëpo sërish u mungoi konkretizimi.
Pjesa e dytë kishte një ritëm edhe më të lartë nga tanët, që kërkonin ta shënonin golin e barazimit.
Bersant Celina u inkuadrua në minutën e 60-të në lojë së bashku me Florent Hadërgjonajn dhe loja disi filloi të ngjallej.
Pas vetëm katër minutash inkuadrimi, Celina gjuajti në drejtim të portës moldave, mirëpo ishte e plogësht.
Një rast tejet i mirë ishte për Milot Rashicën (65’), duke bërë një goditje të fuqishme, derisa portieri moldav Coselev e largoi me vështirësi.
Momenti më i rëndësishëm për tanët erdhi në minutën e 71-të, atëherë kur Benjamin Kololli pranoi një asistim nga Valon Berisha, për të shënuar një gol të bukur.
Kosova në minutat e mbetur kërkoi fitoren, mirëpo edhe pse e shtuam presionin, ishim të pafat nga gjuajtjet e njëpasnjëshme të djelmoshave tanë.
Foto: FlashScore/Prsc
Ndeshja përfundoi 1-1, derisa gjendja në Ligën C të Grupit 3, ‘Dardanët’ janë lider me një pikë, aq sa kanë Greqia, Sllovenia dhe Moldavia.
Kujtojmë se me 6 shtator do të jemi nikoqir të grekëve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. /Telegrafi/