UBT News

Kosova e mbyll turneun e parë në Bosnje e Hercegovinë

Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll për vajza ka përfunduar paraqitjen në turneun e parë të CEV Volleyball European League 2026, i cili u zhvillua në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në ndeshjen e dytë të turneut, vashat e Kosovës u përballën me nikoqirin Bosnjën dhe Hercegovinën, duke treguar një paraqitje solide dhe një ngritje të vazhdueshme të nivelit të lojës gjatë gjithë takimit.

Pavarësisht humbjes me rezultat 3:0 në sete, volejbollistet kosovare rivalizuan denjësisht me kundërshtaret, veçanërisht në setin e tretë, ku luftuan deri në pikët e fundit.

Bosnja dhe Hercegovina – Kosova 3:0
(25:18, 25:22, 25:23)

Nën drejtimin e përzgjedhësit Lorik Ilazi dhe stafit teknik, Përfaqësuesja e Kosovës dëshmoi karakter, përkushtim dhe shpirt garues, duke lënë përshtypje pozitive me paraqitjen e saj në këtë turne.

Pas përfundimit të garave në Bosnje dhe Hercegovinë, “Dardanet” tashmë do ta përqendrojnë vëmendjen te turneu i dytë i CEV Volleyball European League 2026, i cili do të zhvillohet në Greqi.

Kosovën e presin edhe dy sfida të rëndësishme:

Kosova – Greqia
12 qershor 2026, ora 20:00

Portugalia – Kosova
14 qershor 2026, ora 20:00

Federata e Volejbollit e Kosovës ka shprehur mbështetjen e plotë për Përfaqësuesen e vajzave dhe shtabin teknik, duke u uruar suksese në vazhdim të garës dhe një përfaqësim sa më dinjitoz të Kosovës në CEV Volleyball European League 2026.

Exit mobile version