Kosova e ka mbyllur pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me nëntë medalje, duke regjistruar paraqitjen më të suksesshme në historinë e saj në këtë ngjarje.
Bilanci i Kosovës përbëhet nga dy medalje të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.
Medaljet e arta u fituan nga boksierja Donjeta Sadiku dhe karateisti Islam Selmani. Medaljet e argjendta i siguruan xhudistja Laura Fazliu dhe peshëngritësi Kianoush Rostami, i cili fitoi dy medalje të argjendta.
Ndërkaq, medaljet e bronzta i fituan xhudistët Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Fatjona Kasapi dhe Flaka Loxha.
Me këtë bilanc, Kosova ka thyer rekordin e saj të mëparshëm në Lojërat Mesdhetare. Në “Tarragona 2018” kishte fituar katër medalje, ndërsa në “Oran 2022” gjashtë.
Nëntë medaljet e fituara në Taranto konsiderohen sukses për Komitetin Olimpik të Kosovës, ndonëse pritshmëritë ishin më të mëdha edhe në disa sporte të tjera. Rezultate më të mira priteshin në taekwondo, atletikë, si dhe në sportet ekipore, përfshirë futbollin, basketbollin 3×3, hendbollin dhe volejbollin e meshkujve.
Kosova garoi në “Taranto 2026” me një delegacion të gjerë sportistësh, ndërsa në fund arriti të vendosë një rekord të ri sa i përket numrit të medaljeve të fituara në Lojërat Mesdhetare.
Të enjten mbrëma do të mbahet ceremonia e mbylljes së Lojërave Mesdhetare, ku flamuri do t’i dorëzohet Kosovës si nikoqire e edicionit të ardhshëm, “Prishtina 2030”.
D.L
