Hendbollistët e Kosovës e kanë përfunduar me fitore paraqitjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.
Kosova triumfoi të hënën ndaj Qipros me rezultat 31:27, në ndeshjen për vendin e shtatë, duke regjistruar fitoren e parë në këtë turne pas katër humbjeve radhazi.
Egzon Gjuka, Arbios Mushkolaj dhe Jon Vokshi ishin golashënuesit më të mirë të Kosovës, me nga gjashtë gola secili. Suad Pajaziti shënoi pesë gola, ndërsa Alban Haziri realizoi katër. Në portë, Olt Kabashi regjistroi shtatë pritje.
Kosova e kishte përfunduar fazën grupore me tri humbje, ndaj Italisë, Egjiptit dhe Portugalisë, ndërsa në ndeshjen për plasman pësoi humbje edhe nga Tunizia.
Megjithatë, fitorja ndaj Qipros i dha Kosovës mundësinë që ta mbyllë turneun me një rezultat pozitiv dhe me vendin e shtatë në konkurrencën e hendbollit për meshkuj, ku garuan gjithsej tetë përfaqësuese.
D.L
