Me luftën e Shpati Zekajt, të zhvilluar të premten paradite, Kosova e ka përfunduar paraqitjen në Kampionatin Botëror të xhudos në Baku të Azerbajxhanit.
Kosova garoi me katër xhudistë, por asnjëri prej tyre nuk arriti t’i afrohej zonës së medaljeve. Ky ishte një Botëror veçanërisht sfidues për ekipin kosovar, që për herë të parë që nga viti 2023 mbetet pa medalje në këtë garë.
Mungesa e Distria Krasniqit, e cila nuk mori pjesë për shkak të lëndimit, ishte një nga faktorët kryesorë në këtë kampionat. Kampionia kosovare konsiderohej ndër pretendentet kryesore për medalje, ndërsa mungesa e saj u ndje në një ekip që këtë herë nuk arriti të përmbushte pritshmëritë.
Paraqitjen më të mirë nga xhudistët kosovarë e pati Dardan Cena, i cili fitoi dy luftë në kategorinë deri në 73 kilogramë. Fillimisht, ai mposhti irlandezin Joshua Green, përpara se të triumfonte edhe ndaj gjeorgjianit Lasha Shavdatuashvili. Megjithatë, në luftën e tretë u eliminua nga italiani Leandro Valeriani.
Në të njëjtën kategori garoi edhe Akil Gjakova, por ai u eliminua që në luftën e parë nga kampioni olimpik në fuqi, Hidayat Heydarov i Azerbajxhanit.
Pritshmëri të mëdha kishte edhe për Laura Fazliun në kategorinë deri në 63 kilogramë. Ajo e nisi garën me fitore bindëse ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer, por u eliminua në luftën e dytë nga mongolja Enkhriilen Lkhagvatogoo, e cila fitoi me “Ippon” pas vetëm 23 sekondash.
Ndërkaq, Shpati Zekaj u ndal në luftën e parë në kategorinë deri në 100 kilogramë. Ai pësoi humbje nga moldavi Vadim Ghimbovschi, i cili realizoi një uazari herët në përballje.
D.L
