UBT News

Kosova e gatshme për ndeshjen e madhe me Malin e Zi, ëndërrohet Evropiani

Hendbollistët e Kosovës janë të vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të ndeshjes me Malin e Zi.

Kosova e Mali i Zi takohen të mërkurën nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshja i takon grupit të tetë të fazës së dytë kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm. Përfaqësuesja që shënon fitore do të jetë shumë pranë kualifikimit në Evropian.

Te Kosova ëndërrojnë kualifikimin, që do të ishte historik. Pas barazimit dhe fitores me Rumaninë, që ka të kaluar të lavdishme, te Kosova besojnë se mund ta mposhtin Malin e Zi në Prishtinë dhe ta bëjnë hapin vendimtar drejt Evropianit.

Kosova është e treta në grupin e tetë me 3 pikë, sa i ka edhe Rumania në vend të dytë. Suedia udhëheq me 6 pikë nga tri ndeshje, kurse Mali i Zi është i fundit me 2 pikë nga tri ndeshje. Dy të parët në grup kualifikohen në Evropian. Po ashtu kualifikohen katër prej tetë përfaqësueseve më të mira që renditen në pozitën e tretë nëpër grupe.

Kosova është në garë për pozitën e dytë dhe të tretë. Me fitore eventuale ndaj Malit të Zi, fati i saj do të përcaktohej të dielën, kur luhen ndeshjet e fundit. Me humbje, gjasat thuajse nuk ekzistojnë. Ndërkohë barazimi nuk dihet ende nëse do të kryej punë. Kosova të dielën mbyll kualifikimet me ndeshjen në udhëtim ndaj Suedisë.

Kosova është grumbulluar të mërkurën e kaluar për t’u përgatitur për ndeshjen më të madhe të saj deri më tani. Vetëm të hënën grupi i lojtarëve është kompletuar plotësisht. Mali i Zi, që lojtarët i ka në nivel dukshëm më të lartë, është mbledhur të hënën dhe të martën ka udhëtuar për në Kosovë.

“Si çdo ndeshje tjetër, edhe kësaj i qasemi me shumë seriozitet dhe me synim për fitore. Kjo ndeshje për dallim nga të tjerat, ka një rëndësi më të madhe, pasi që në rast të fitores, kemi gjasa të jemi në Kampionat Evropian. Jemi pak në presion për këtë ndeshje, por ekipi i Malit të Zi mendoj që ka më shumë presion. Nëse e japim maksimumin, luajmë lojë të kujdesshme dhe efikase, besoj se në fund do të arrijmë të kemi rezultatin që e dëshirojmë”, ka theksuar kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj.

Ai do ta udhëheqë lojën e Kosovës në sulm.

Ndërkohë, në mbrojtje lider si çdo herë pritet të jetë Bujar Ramosaj. Ai lufton për çdo top dhe rrallë lejon të kalohet.

“Që prej ditës së parë të grumbullimit, përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Nuk kemi pasur ndonjë problem. Synimet janë të qarta – të tregojmë lojë të mirë dhe të nivelit të lartë. Kualifikimi i mundshëm në Evropian na motivon edhe më shumë, edhe pse do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne do të tregojmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin”, thotë Ramosaj.

Ndaj Rumanisë në Bukuresht, Kosova kishte paraqitje të nivelit të lartë. Një paraqitje e tillë në Prishtinë me shumë mundësi do të ishte e mjaftueshme ndaj Malit të Zi.

Kosova do të jetë pa selektorin Bujar Qerimi, që për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të udhëtoj nga Belgjika. Qerimi e ka kaluar koronavirusin, por mjekët ia kanë ndaluar që të udhëtojë.

Ekipin do ta drejtojë trajneri i parë, Fatmir Muhaxheri. Por këshilla, sidomos për lojën në sulm priten edhe nga kapiteni Dedaj.

Ende asnjë përfaqësuese e Kosovës nuk është kualifikuar në Evropian. Nëse përfaqësuesja e hendbollit e arrin këtë, atëherë do të ishte sukses historik. Përmes hendbollit, Kosova kishte luajtur në Botërorin e juniorëve, dy vjet më parë në Spanjë.

Mali i Zi ka luajtur shpesh në Evropian, ndërsa i ka lojtarët në nivel të lartë klubesh.

Për në Prishtinë, Mali i Zi ka udhëtuar pa qendrën Radojica Çepiq, që është me koronavirus, dhe bekun e djathtë, Stefan Çavor, që është i lënduar. Çavor është lënduar në fundjavë.

Më herët ishte konfirmuar që për shkak të lëndimit, mungon edhe Milosh Vujoviq, ndërsa Stevan Vujoviq nuk ka mundur të udhëtojë nga Katari.

Ndeshjen e parë e kishte fituar Mali i Zi me 32:25, në Podgoricë.

“Ata (kosovarët) janë të mirë, kanë zënë ritmin, kanë befasuar Rumaninë në dy ndeshjet. Janë pa kompromis dhe luftarak, por ne jemi favoritë. Nuk mund të themi që ata janë favoritë ndaj nesh. Ne kemi luajtur në gara të mëdha, kemi mposhtur përfaqësuese shumë më të forta se Kosova. Te ne është që mos të lejojmë hapësirë për befasi”, ka thënë portieri i Malit të Zi, Nebojsha Simiq.

Exit mobile version