Po bëhen përgatitjet e fundit për nisjen e procesit të licencimit të udhërrëfyesve turistikë në Kosovë.
Për këtë qëllim është mbajtur një takim informues dhe koordinues ndërinstitucional me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, organizatave të sektorit të turizmit dhe shoqërisë civile, lidhur me zbatimin e Ligjit për Turizëm dhe Udhëzimit Administrativ që rregullon kushtet, kriteret dhe procedurat për regjistrimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë.
Sipas njoftimit, licencimi i udhërrëfyesve turistikë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt profesionalizimit të sektorit të turizmit, rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe promovimit më dinjitoz të trashëgimisë kulturore, historike dhe natyrore të Kosovës.
Përmes këtij procesi synohet vendosja e standardeve të qarta profesionale dhe krijimi i një sistemi të rregulluar për ushtrimin e këtij profesioni.
Pas përfundimit të procedurave përgatitore, pritet të hapet thirrja e parë publike, duke shënuar nisjen zyrtare të procesit të licencimit të udhërrëfyesve turistikë në vend.
/A.K/
