UBT News

Kosova drejt Koresë së Jugut: Ekipi i UBT-së përfaqëson vendin në garën botërore të robotikës FIRST Global Challenge 2026

Kanë mbetur edhe pak ditë kur ekipi i Kosovës do të niset për të përfaqësuar vendin në skenën botërore të robotikës. Në mesin e ekipeve më të mira nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon të Koresë së Jugut, nga 7 deri më 10 tetor, me temën “Igniting Innovation”. Kjo temë sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e zjarreve të egra dhe ndikimit të tyre në natyrë, biodiversitet e komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës i është besuar ekipit të UBT-së, i cili përbëhet nga gjashtë nxënës: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj.

Duke folur për përgatitjet intensive teknike e strategjike që po bëhen, mentorja e ekipit Elita Hajrizi theksoi përkushtimin e nxënësve.

“Ekipi ka filluar me përgatitjet që prej qershorit dhe përgatitjet e fundit po vazhdojnë edhe këtë javë. Që nga fillimi, ekipi ka treguar një angazhim, vullnet e pasion të madh për punën dhe besoj shumë se rezultatet e kësaj pune do të shihen edhe në garë në Kore. Sigurisht, synimi ynë kryesor është përfaqësimi i denjë i Kosovës dhe fitorja është pjesë e këtij synimi”, shprehet Hajrizi.

Përfaqësimi i këtij edicioni vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të Kosovës në edicionin e kaluar në Panamá, ku Elita Hajrizi u vlerësua me çmimin “Best Mentor” në nivel botëror. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, UBT vazhdon të mbetet lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM dhe në promovimin e potencialit të të rinjve kosovarë në skenën ndërkombëtare.

 

Exit mobile version