Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar hapjen e Pavijonit të Kosovës në kuadër të Marché du Film, tregut zyrtar të Festivalit të Filmit në Kanë. Ky prezantim shënon vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë botërore të filmit.
Për të 15-in vit me radhë, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë po prezantojnë së bashku kinematografinë shqiptare përmes pavijonit të përbashkët Kosovë-Shqipëri, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të produksioneve nga të dy vendet.
Ky edicion shënohet edhe me një moment të veçantë: premierën botërore të filmit “Dua”, i cili është përzgjedhur në programin prestigjioz Semaine de la Critique, ku garon për katër çmime kryesore. Përzgjedhja në këtë program konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme për filma të rinj në Kanë.
Pjesëmarrja e përbashkët dhe prezantimi i filmit “Dua” pritet të forcojnë më tej praninë e kinematografisë shqiptare në skenën ndërkombëtare.
