Përfaqësuesja e Kosovës dhe ajo e Kroacisë mund të luajnë një ndeshje miqësore, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), pas takimit që kreu i saj, Agim Ademi pati të dielën me kreun e Federatës së Kroacisë, Davor Shuker.
Në njoftimin e FFK-së thuhet se është dakorduar që në një të ardhme të afërt të shqyrtohet mundësia që Kosova dhe Kroacia të luajnë ndonjë miqësore. Nuk është bërë e ditur data apo vendi se ku mund të luhet miqësorja.
“Në këtë takim disa orësh, presidentët Ademi e Shuker, diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy federatave në shumë sfera. Me theks të veçantë u diskutua për mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore, qoftë me kombëtaret respektive A, qoftë me ekipet e grupmoshave si dhe me ekipet e veteranëve. Të dyja palët u dakorduan që në një të ardhme të afërt këto diskutime të vazhdojnë në mënyrë që të gjenden datat e sakta se kur mund të zhvillohen ndeshjet në fjalë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kosova e Kroacia janë përballur kundër njëra-tjetrës në kualifikimet për kampionatin botëror. Në Shkodër, Kosova humbi me rezultatin 6:0, derisa në Zagreb, kroatët mposhtën kosovarët me shifrat, 1:0./UBTNews