UBT News

​Kosova dhe Kanadaja zhvillojnë konsultime politike në Otava

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi po qëndron për vizitë zyrtare në Kanada, ku gjatë takimeve bilaterale, bashkërisht me Drejtorin e Përgjithshëm për Byronë e Çështjeve të Arktikut, Euroazisë dhe Evropës, Robert Sincliar, drejtuan konsultimet politike mes delegacioneve të të dyja vendeve.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet e konsoliduara mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, u diskutua për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe zhvillimin ndërkombëtar, çështjet e sigurisë rajonale, ato të ekonomisë dhe tregtisë, si dhe bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve.

Zëvendësministrja Gashi theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qëndruar krah shteteve demokratike, duke krijuar njëherit mundësi të reja për qytetarët e vendit si dhe për të kontribuar në paqen globale.

Palët nga të dyja vendet u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin e afërt dhe në shërbim të fuqizimit më tej të marrëdhënieve bilaterale. Ndërsa në një takim ndaras me Sekretarin Parlamentar të Ministrisë së Jashtme të Kanadasë, z. Robert Oliphant, u theksua rëndësia dhe roli i diplomacisë parlamentare për të ndërtuar më tej bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, si dhe tema të tjera me interes të ndërsjelltë.

Në kuadër të konsultimeve politike, zëvendësministrja Gashi u takua edhe me zëvendësministrin për Politika Strategjike dhe Çështjet Globale të Kanadasë, Alexandre Lévêque, me të cilin ka diskutuar për tema me interes të përbashkët, gjendjen e sigurisë dhe realitetin aktual në Europë dhe Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim gjithashtu thuhet se Gashi do të zhvillojë takime të tjera, ku do të pritet edhe nga deputetë, senatorë dhe udhëheqës të komisioneve parlamentare në kuadër të Parlamentit dhe Senatit Kanadez.

Exit mobile version