UBT News

Kosova dhe Italia nisin punën për marrëveshje për bashkëprodhimin e filmave

Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.

Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.

Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.

/A.K/

Exit mobile version