UBT News

Kosova dhe Garda e IOWA-s zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjeneralmajor Stephen Osborn, me të cilin ka diskutuar për thellimin e raporteve në fushën e mbrojtjes.

Gjatë këtij takimi, palët vlerësuan lart rëndësinë e Programit të Partneritetit Shtetëror dhe u dakorduan për zgjerimin e bashkëpunimit në disa fusha kyçe, duke përfshirë trajnimet e specializuara, stërvitjet e përbashkëta fushore dhe zhvillimin e mëtejmë profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri Maqedonci shfrytëzoi rastin për të falënderuar gjeneralin Osborn dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur në forcimin e ushtrisë sonë.

Sipas njoftimit zyrtar, bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Gardës së IOWA-s mbetet një nga shtyllat kryesore për ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me partnerët strategjikë, duke e afruar Kosovën edhe më shumë me standardet e kërkuara ushtarake.

Exit mobile version