Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka autorizuar sot dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në operacionin ndërkombëtar paqeruajtës në Gaza. Ky vendim vjen fill pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe shënon një hap historik për profilizimin e shtetit si kontribuues i sigurisë globale.
Në njoftimin e saj, Haxhiu theksoi se ky mision pasqyron rritjen e përgjegjësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar. Nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare”, deklaroi ajo.
Trupat e FSK-së do të shërbejnë si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, duke u rreshtuar krah partnerëve strategjikë në një nga zonat më të ndjeshme të globit. Sipas udhëheqëses së shtetit, ky angazhim dëshmon pjekurinë e institucioneve të sigurisë.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë”, u bë e ditur në njoftim.
Ky mision në Gaza pason angazhimet e mëparshme të FSK-së në misione të ngjashme jashtë vendit, duke forcuar pozitën e Kosovës si një partnere e besueshme për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.
