Kosova ka bërë debutimin e saj të shumëpritur në kualifikimet e Kampionatit Botëror të eSports Basketball, pjesë e sezonit të tretë të e-FIBA-s, duke shënuar një moment historik për sportin elektronik në vend. Ky është një hap i rëndësishëm për ekipin, i cili po përfaqëson Kosovën për herë të parë në arenën ndërkombëtare të këtij sporti gjithnjë në rritje dhe popullor.
Në ndeshjet e para, Kosova përjetoi një miks emocionesh dhe përballjesh të forta me disa nga ekipet më të mira në grup. Ndër rezultatet e ditës së djeshme, përballja kundër Zvicrës përfundoi me një rezultat 97:119 në favor të kundërshtarit, ndërsa Kosova triumfoi bindshëm kundër Greqisë me një fitore spektakolare 134:86. Megjithatë, përballja me Francën rezultoi sfiduese, duke përfunduar me një rezultat 120:163.
Ekipi kosovar mbetet i përqendruar dhe i motivuar për të vazhduar rrugëtimin e tij. Ndeshjet e radhës priten me interes të madh më 10 tetor, ku Kosova do të përballet me Britaninë e Madhe, Italinë dhe Suedinë. Këto ndeshje do të jenë një mundësi e shkëlqyer për ekipin që të tregojë potencialin e tij dhe të synojë rezultate edhe më të mira./UBTNews/