UBT News

Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri

Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një muzeu të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, me qëllimin kryesor të “dokumentimit dhe prezantimit të krimeve të realizuara nga ish-Jugosllavia dhe Serbia ndaj shqiptarëve dhe grupeve të tjera në Kosovë”.

Në një mbledhje të zhvilluar të mërkurën, u nënvizua se ky muze do të ketë si objektiv kryesor “krijimin e një institucioni publik, të dedikuar përkujtimeve dhe prezantimit të historive dhe përvojave të popullsisë shqiptare dhe të tjerëve, nën pushtimin e Serbisë dhe Jugosllavisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se muzeu “është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe një dëshmi e qartë jo vetëm e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale, por edhe e vërtetës se Republika e Kosovës ka triumfuar, ka dalë nga ky përballim dhe nuk harron”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, theksoi se muzeu i ri do të “synojë edukimin, përkujtimin dhe nderimin e brezave të rinj” dhe do të shërbejë për “të pasqyruar përjetimet e të mbijetuarve, që historitë e tyre të mos harrohen kurrë.” Ai shtoi se muzeu synon “përmbushjen e paqes së qëndrueshme, duke siguruar që e kaluara e dhunshme të mbahet mend, të dokumentohet dhe të mos përsëritet”.

Çeku ka bërë të ditur se ky muze do të ngritet fillimisht si njësi e veçantë brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës. Pas miratimit të Ligjit për Muzeet, ai do të shndërrohet në një institucion të pavarur, muzeal, me nivel kombëtar.

Institucioni do të vendoset në ndërtesën ku ndodhet aktualisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Propozimi për themelimin e këtij muzeu është mbështetur nga të gjithë ministrat e pranishëm në mbledhje, përveç ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili u abstenua nga votimi.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitet 1998-1999, mbi 13.000 civilë u vranë dhe mijëra të tjerë u zhdukën. Aktualisht, mbi 1.600 persona janë ende të pagjetur, shumica e të cilëve janë shqiptarë. /rel/

Exit mobile version