Sot shënohen plot 35 vite nga ndarja nga jeta e Artistit të Merituar Enver Birko (1935 – 1989), një nga pionierët e artit koreografik shqiptar, i cili la pas një trashëgimi të vyer dhe një karrierë të pasur që zgjati mbi 40 vjet.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit organizoi një event përkujtimor, duke sjellë në kujtesën e publikut disa nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe karrierës artistike të këtij artisti të paharruar.
Rrugëtimi artistik i Enver Birko nisi në vitin 1950, kur ai u bë pjesë e grupit të valleve në Filarmoninë Shqiptare. Pjesëmarrja e tij aty vazhdoi deri në krijimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ku ai u shqua si një nga interpretuesit më të njohur dhe të talentuar.
Me një pasion të pashuar dhe një talent të jashtëzakonshëm, Birko arriti të fitojë zemrat e publikut shqiptar. Lëvizjet e tij të gjalla, teknika e përsosur e interpretimit dhe shkathtësia në skenë ishin elemente që e veçuan atë. Publiku mbetej i mahnitur nga harmonia dhe rrjedhshmëria e lëvizjeve të tij, ku plastika e trupit, duarve dhe këmbëve shpreheshin në një rrugëtim dinamik drejt kulminacioneve të valleve popullore.
Nën interpretimin e tij të shkëlqyer, së bashku me trupën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, vallet e mjeshtrave si Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli dhe Agron Aliaj fituan madhështi dhe një cilësi të re artistike, duke u bërë simbole të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, Enver Birko u nderua me një sërë vlerësimesh, përfshirë medalje, çmime dhe titullin e nderit “Artist i Merituar”.
Jeta e tij artistike është një pasqyrë e vlerave të larta njerëzore; ai ishte një shembull jo vetëm në art, por edhe në jetën e përditshme, një njeri korrekt, i qeshur, i çiltër dhe me shpirt të madh. Si një prind i përkushtuar, virtytet e tij si person kontribuan në forcimin e madhështisë së figurës së tij artistike, duke e bërë atë një legjendë të artit koreografik shqiptar./UBTNews/