Koreja e Jugut e ka nisur me fitore aventurën në Kupën e Botës, duke mposhtur Republikën Çeke me rezultat 2:1 në stadiumin “Akron” në Zapopan.
Koreanët dominuan ndeshjen që nga minuta e parë dhe krijuan rastet më të mira gjatë pjesës së parë. Në minutën e 12-të, Lee provoi me kokë, por topi përfundoi mbi portë, ndërsa gjashtë minuta para pushimit Son ishte shumë pranë golit, me goditjen e tij që kaloi ngjitur me shtyllën.
Edhe në pjesën e dytë Koreja e Jugut vazhdoi të ushtrojë presion. Hwang rrezikoi menjëherë pas rifillimit të lojës, ndërsa Lee dhe Son patën raste të tjera të mira, por portieri çek Kovar u tregua i pakalueshëm me disa pritje vendimtare.
Megjithatë, kur pritej goli i koreanëve, ishte Republika Çeke që kaloi në epërsi. Në minutën e 60-të, Krejci realizoi me kokë për 1:0, duke ndëshkuar shpërdorimin e rasteve nga kundërshtari.
Gëzimi i çekëve nuk zgjati shumë, pasi Koreja e Jugut reagoi shpejt dhe arriti të barazojë rezultatin me anë të Hwang, i cili shënoi për 1:1.
Republika Çeke mendoi se kishte rikthyer epërsinë në minutën e 77-të, kur Soucek dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua pas rishikimit nga VAR-i për pozicion jashtë loje.
Në vazhdim, koreanët arritën të gjenin golin e fitores, duke vulosur triumfin 2:1 dhe duke siguruar tre pikët e para në fazën e grupeve të Kupës së Botës.
D.L
