UBT News

Koordinimi i punës parlamentare: Haxhiu pret në takim kryetarët e grupeve parlamentare

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim udhëheqësit e grupeve parlamentare, me të cilët ka diskutuar për ecurinë e punës dhe prioritetet e legjislativit për muajt në vijim.

Përmes një postimi, Haxhiu bëri me dije se gjatë takimit është zhvilluar një diskutim i hapur dhe konstruktiv lidhur me mbarëvajtjen e seancave dhe organizimin e punës në Kuvend.

“Në Kuvend, secili grup parlamentar përfaqëson bindje dhe qëndrime të ndryshme, dhe kjo është pjesë e natyrshme e pluralizmit demokratik. Është e rëndësishme që për interesat e përbashkëta të kemi koordinim të plotë, të respektojmë dallimet dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët aty ku ekzistojnë mundësitë për bashkëpunim”, ka deklaruar Haxhiu.

Më tej, ajo ka theksuar se përkushtimi ndaj nevojave të qytetarëve mbetet përgjegjësi kryesore e institucionit të Kuvendit.

“Qytetarët presin nga ne përgjegjësi, përkushtim dhe vendimmarrje që adreson nevojat dhe shqetësimet e tyre, duke dhënë përgjigje konkrete ndaj pritjeve të tyre”, ka përmbyllur ajo. /E.A/

Exit mobile version