UBT News

Kontratë pune për regjistrimin e fëmijës në institucione parashkollore, Avokati i Popullit: Diskriminuese!

Avokati i Popullit konstaton se kërkesa për kontratën e punësimit të prindërve, e vendosur nga disa komuna gjatë publikimit të konkurseve për pranim në institucione parashkollore si dhe vërejtja e tyre se aplikimet pa këto dokumente nuk do të shqyrtohen është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ Nr.19/2016.

Me këtë rast Avokati i Popullit konstaton se kërkesa që prindërit të paraqesin kontratat e punës për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore është diskriminuese dhe trajtim i pabarabartë para ligjit.

“Avokati i Popullit vërejti se kërkesa për kontratën e punësimit tё prindërve, e vendosur nga disa komuna gjatë publikimit tё konkurseve për pranim në institucione parashkollore, si dhe vërejtja e tyre se aplikimet pa këto dokumente nuk do tё shqyrtohen është në kundërshtim më Udhëzimin Administrativ Nr. 19/ 2016. Për më shumë ky kriter nuk është në pajtim me parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike. Avokati i Popullit konstaton se kërkesa për prindërit që të paraqesin kontratat e punës për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore është diskriminuese dhe trajtim i pabarabartë para ligjit. Udhёzimi në fjalë nuk ofron siguri juridike, alternativa tё qarta dhe tё përballueshme pёr fëmijët me dëmtime tё rënda, nё mënyrë qё ata t’i gëzojnë tё njëjtat tё drejta si tё gjithë fëmijët e tjerë, më specifikisht tё drejtën e fёmijёve pёr arsim, për mos diskriminim dhe për interesin mё tё mirё tё tyre”, thuhet në komunikatën për media të Avokatit të Popullit.

Në raport thuhet edhe se Avokati i Popullit ka vërejtur edhe se vendosja e këtij prioriteti nga disa komuna ka ardhur nga mungesa e kapaciteteve dhe e burimeve pёr ta akomoduar numrin e madh tё aplikimeve me gjithë vullnetin e tyre pёr t’i pёrfshirё tё gjithё fёmijёt pa dallim.

Exit mobile version