Lionel Messi dhe Barcelona, zyrtarisht do të ndërpresin bashkëpunimin kontraktual sot (e mërkure).
Ylli argjentinas është aktualisht me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Amerikës dhe ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.
Kontrata e 34-vjeçarit skadon sot dhe nga dita e nesërme (e enjte, 1 korrik), do të jetë lojtar i lirë.
Blaugranasit ka kohë që po tentojnë të bindin lojtarin më të mirë në histori të tyre që të vazhdojë kontratën, por ende nuk ka asnjë lëvizje.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë lidhet me largim nga katalunasit që nga vera e kaluar, mirëpo rikonfirmimi i Joan Laportas si president i klubit, ka bërë që situata të ndryshojë.
Kreu i klubit ka thënë se ai është i bindur që Messi do të qëndrojë në Camp Nou për së paku edhe dy vite, por mungon nënshkrimi në letër.
Kështu, pas orës 00:00, njëri ndër lojtarët më të mirë në historinë e futbollit, do të jetë i lirë të kalojë te çdo skuadër.
Vlera aktuale e tij në treg sipas Transfermarkt është 80 milionë euro, por nëse do ishte nën kontratë me Barcelonën, vlera e tij padyshim se do të kalonte mbi 100 milionë euro.