UBT News

Kontrabanda me migrantë: Policia e Kosovës parandalon dy raste, në Hani të Elezit përdoret droni

Departamenti i Kufirit i Policisë së Kosovës ka parandaluar dy raste të ndryshme të kontrabandës me migrantë gjatë ditës së mërkurë, duke vënë në pranga katër shtetas kosovarë të përfshirë në këto rrjete ilegale. Aksionet janë zhvilluar në dy pika të ndryshme kufitare, në rajonin e Rugovës dhe në Hani të Elezit.

Në rastin e parë, zyrtarët policorë nga Stacioni për Mbikëqyrjen e Kufirit në Radavc ndaluan një automjet në zonën e Rugovës, i cili po lëvizte në drejtim të kufirit me Malin e Zi. Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën 12 shtetas nga Sudani, të cilët posedonin dokumente azilkërkimi nga Greqia. Shoferi kosovar me inicialet B.K. është arrestuar menjëherë, ndërsa migrantët sudanezë janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Magurë.

Rasti i dytë u zbulua në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit, ku policia përdori dronët për vëzhgimin e terrenit në kuadër të planit operativ “Migrimi ilegal”. Përmes dronit u diktuan dy persona duke kaluar në këmbë vijën kufitare nga fshati Bllacë i Maqedonisë së Veriut drejt Kosovës, ku po i priste një automjet me targa vendore. Ndërhyrja e shpejtë e njësive patrulluese rezultoi me arrestimin e tre kosovarëve (Q.C., P.L. dhe A.B.) dhe ndalimin e një shtetasi nga Bangladeshi.

Me urdhër të prokurorit, të katër të dyshuarit kosovarë nga të dyja rastet janë dërguar në mbajtje, ndërsa shtetasi nga Bangladeshi, i trajtuar si viktimë e kontrabandës, është strehuar në Qendrën për Migrantë në Vranidoll. Në cilësinë e provave materiale, policia ka sekuestruar një automjet dhe katër telefona celularë.

Exit mobile version