UBT News

Konstituohet Legjislatura e XI-të e Kuvendit të Kosovës, pozita e PDK-së mbetet e zbrazët

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konstatuar zyrtarisht të konstituuar Legjislaturën e XI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky vendim erdhi pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.

Gjatë seancës plenare, Haxhiu bëri të ditur se, përkundër thirrjeve të përsëritura drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetët e këtij subjekti nuk ishin të pranishëm në sallë për të tretën herë me radhë, duke mos e ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar.

Ajo nënvizoi se, mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, asnjë subjekt politik nuk mund ta mbajë të bllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.

Përmes një reagimi pasues në rrjetet sociale, Haxhiu sqaroi se pozita e nënkryetarit mbetet e rezervuar për PDK-në dhe se Kuvendi do të kalojë menjëherë në votim sapo kjo parti ta paraqesë propozimin e saj.

Me përmbylljen e këtij procesi u hapet rrugë procedurave për formimin e Qeverisë së re. Kryetarja e Kuvendit uroi nënkryetarët e zgjedhur dhe falënderoi deputetët pjesëmarrës për ushtrimin e përgjegjësisë institucionale, duke bërë thirrje që funksionalizimi i plotë i shtetit të vazhdojë pa vonesa të panevojshme./E.A/

Exit mobile version