Është bërë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Mirëpo për shkak mungesës të disa deputetëve të këtij komisioni që ndodhën jashtë vendit, nuk pati diskutime tjera.
Kryesuesja e këtij komisioni, Time Kadrijaj, tha se do e bëjnë planin e punës bashkërisht dhe do të vazhdojnë me punë në këtë drejtim gjatë ditëve në vazhdim.
“Me ketë përbërje, meqenëse komisioni është prej 11 anëtarëve, jemi gjashtë prezent, mundemi të konstatojmë konstituimin e komisionit hetimor”, tha Kadrijaj.
Ndërkaq deputeti Haxhi Avdyli tha se qasja e deputeteve që nuk janë në mbledhje, është jo serioze.
“E kuptojmë plotësisht edhe angazhimin e deputetëve nëpër mbledhje tjera, por ata të cilët e kanë thirrur duhet së paku të planifikojnë kur janë në Kosovë dhe të bëjmë konstituimin. Kjo qasje, është shumë jo serioze, sepse oraret kanë qenë, janë të ditura edhe planifikimet, sepse gjithmonë ka takime të papritura, por jo kështu kaq të planifikuara. Përndryshe, është një koincidencë që edhe dita e themelimit të këtij komisioni, ka qenë në ditën kur është mbajt debati në Kuvend, ndërsa kryeministri kanë qenë në takim në seancën e Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar çështja e Kosovës dhe ka pas debate mes kryeministrit Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq, në të njëjtën kohë edhe ky grup po formohet në ditën kur Kosova po shënon rezultate të mëdha dhe është në fazën përfundimtare të anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Avdyli.
Ndërsa deputetja Kadrijaj në replikë tha sot nuk dëshiron të bëjë debat politik, megjithatë tha se opozita ka lobuar çdoherë për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
“Nuk kam dashtë të bëj debat politik, sepse do të kemi rast të vazhdojmë me debate politike…Është votuar në Kuvend e ka aprovuar kryesia, në bazë të atij vendimi ne do të vazhdojmë me procedura siç i kanë dhe me rregulla siç i kanë. Ajo që ka qenë iniciuese është në Këshill të Evropë, është një grup në përbërje të të gjitha partive politike që po lobon shumë për anëtarësim të Kosovës në KE…Në këtë drejtim sa i përket politikave të jashtme, asnjë hezitim nuk e ka pas asnjë deputet i opozitës për me qenë zë i fuqishëm për Kosovën”, tha Kadriaj.
Në përbërje të këtij komisioni janë 11 deputetë, Ariana Musliu-Shoshi, Haxhi Avdyli, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, Jeta Statovci, Gazmend Gjyshinca, Fitore Pacolli, Hisen Berisha, Rrezarta Krasniqi, Vlora Dumoshi dhe Erxhan Galushi.