Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka përcaktuar emrat që mund t’i propozojë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por nuk do t’i bëjë publikë para takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Këtë e ka deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se VV-ja dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë të gatshëm për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas Konjufcës, në takimin e ardhshëm pritet të diskutohen emra konkretë dhe ekziston mundësia që nga kjo përpjekje të arrihet një marrëveshje për presidentin.
“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me ju, sepse kjo do ta humbte kuptimin e procesit të negociimit”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka thënë se LVV-ja është në pritje të një ftese nga LDK-ja për caktimin e ditës së takimit, pasi Abdixhiku kishte deklaruar më herët se bisedimet do të zhvilloheshin gjatë kësaj jave.
Konjufca ka shprehur keqardhje që takimi nuk u zhvillua javën e kaluar, por ka thënë se e mirëkupton nevojën e partive për të përcaktuar emrat konkretë para se të diskutohet për një marrëveshje përfundimtare.
LVV-ja dhe LDK-ja po zhvillojnë prej një kohe diskutime për zgjedhjen e presidentit. Në takimin e fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut, ku morën pjesë edhe ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është thënë se është arritur pajtim për profilin e presidentit të ardhshëm dhe se në takimin vijues do të diskutohen kandidatura konkrete.
Ndërkohë, gjatë ditës është raportuar se ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka propozuar Faton Bislimin për president në një letër drejtuar liderëve të partive parlamentare./A.K/
