Dikush po e pinë tinëz duhanin në bufe të Kuvendit të Kosovës. Për këtë kryeparlamentari Glauk Konjufca sot ua ka tërhequr vërejtjen deputetëve që po pinë duhan në ambientet e Kuvendit.
Konjufca në fillim të seancës së sotme tha se ka informata që në bufen e Kuvendit po pihet shumë duhani. Për këtë ai tha se nëse ndodhë edhe njëherë do ta ftojë inspektoratin e shtetit.
“Dua t’ua tërheq vërejtjen, deputetë të shumtë po më tregojnë që në bufe po pihet shumë cigarja. Kjo është një sjellje e papranueshme dhe nëse veç edhe njëherë e kam një informatë që po pihet duhani në bufe, më detyroni me ftuar inspektoratin e shtetit. Kjo është me të vërtet një sjellje e papranueshme. Në çdo hapësirë të Kuvendit dhe institucionet publike ndalohet pirja e duhanit, kështu që kjo sjellje së pari të vlejë për përfaqësuesit e popullit”, tha Konjufca.
Kuvendi po shqyrton në parim Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Po ashtu, sot pritet të shqyrtohet edhe Projektligjit për mbështetjen e punëve publike.