Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur keqardhje për deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, ku ai rikonfirmoi mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës gjate qëndrimit te tij në Serbi.
Përmes një reagimi në rrjetin X, Konjufca ka rikujtuar se që nga dita e parë e agresionit rus, Kosova ka qëndruar pa hezituar krah Ukrainës duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke ofruar ndihmë humanitare e ushtarake, si dhe strehim për gazetarët ukrainas, përkundër faktit që Ukraina nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
“E bëmë këtë me gjithë mosnjohjen e shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin e tij territorial është çështje parimi”, thuhet në reagimin e Konjufcës.
Në reagim vihet në pah se përderisa Kosova i është bashkuar plotësisht sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Serbia nuk e ka bërë një gjë të tillë. Po ashtu, theksohet se shtetësia e Kosovës është produkt i çlirimit nga regjimi i Millosheviqit dhe procesit ndërkombëtar të udhëhequr nga OKB-ja, i konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).
“Përpjekjet e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent apo arsyetim për pushtimin, okupimin apo tentim-aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe ligjërisht të rreme. Asnjë paralelizëm i tillë nuk ekziston”, shkruan Konjufca.
MPJD-ja i ka bërë thirrje Ukrainës për njohjen e Republikës së Kosovës, duke nëvizuar se Kosova e refuzon me vendosmëri çdo kornizim të shtetësisë së saj përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.
“E mirëpresim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Një vendim i tillë do të fuqizonte vetë parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që vetë Ukraina po i mbron sot”, përfundoi ministri Konjufca. /E.A/
