Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim zyrtar Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Edmondo Cirielli.
Gjatë këtij takimi, fokus i veçantë iu kushtua marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimit në NATO, si dhe zhvillimeve aktuale politike në vend, përfshirë këtu edhe procesin e formimit të qeverisë së re.
Në kuadër të partneritetit mes dy vendeve, palët diskutuan gjerësisht për bashkëpunimin ekonomik. U theksua nevoja e menjëhershme për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e ndërveprimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do të thellonin më tej lidhjet mes Kosovës dhe Italisë.
Ministri në detyrë, Konjufca, shfrytëzoi rastin për ta falënderuar zëvendësministrin Cirielli për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka dhënë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës, duke rikonfirmuar se Roma zyrtare mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Takimi, i cili rrodhi në një frymë plotësisht miqësore dhe konstruktive, dëshmoi edhe një herë marrëdhëniet e afërta mes dy popujve, me Kosovën që mbetet e përkushtuar për të fuqizuar bashkëpunimin në çdo fushë me interes të përbashkët. /E.A/
