Kryeparlamentari Glauk Konjufca priti sot në takim ambasadorin gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.
Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit theksoi se shteti gjerman është dëshmuar aleat dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e shtet-ndërtimit, zhvillimit dhe integrimit.
Ambasadori Rohde u shpreh se Kosova dhe Gjermania janë të lidhura ngushtë dhe miqësisht mes vete, duke konfirmuar vazhdimin e mbështetjes dhe angazhimit të përbashkët për perspektivën e Kosovës në familjen e shteteve evropiane.
Në takim u ritheksua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.