Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.
Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e uroi ministrin Konjufca për mandatin e tij të ri, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.
Fokus i diskutimit ishte thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe koordinimin e politikave të jashtme.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se partneriteti ndërmjet Prishtinës dhe Sofjes mbetet stabil dhe me interes të ndërsjellë për stabilitetin rajonal.
Me këtë rast, ambasadori Kraevski i dorëzoi ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ky takim i rëndësishëm i nivelit rajonal pritet të mbahet në Sofje gjatë muajit qershor të vitit 2026.
Në fund të takimit, u rikonfirmua se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Bullgarinë, si një shtet mik dhe mbështetës i rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.
