UBT News

Konjufca nga Brukseli: Kosova mbetet konstruktive, synojmë përmbylljen e dialogut me njohje reciproke

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Ambasadën e Kosovës në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Johan Sørensen. Në fokus të këtij takimi ishte avancimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë diskutimit, ku mori pjesë edhe Kryenegociatori Agron Bajrami, ministri Konjufca bëri të qartë se pozicioni i Kosovës mbetet i palëkundur përballë sfidave të dialogut, duke insistuar në një rezultat përfundimtar që garanton stabilitet.

“Së bashku me Kryenegociatorin tonë, Agron Bajrami, rikonfirmuam se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive — me qëllimin e qartë të përfundimit të procesit përmes njohjes reciproke,” deklaroi Konjufca.

Ky takim i cilësuar si një “diskutim i strukturuar” vjen në një kohë kur presioni ndërkombëtar për progres në dialog është rritur. Konjufca rikonfirmoi se përkushtimi i Kosovës nuk do të mungojë, por gjithmonë duke u fokusuar te synimi kryesor: njohja e ndërsjellë si kusht për paqe të qëndrueshme në rajon.

Takimi shërbeu gjithashtu për të koordinuar hapat e ardhshëm diplomatikë në Bruksel, duke treguar një angazhim të lartë të diplomacisë kosovare në arenën ndërkombëtare.

 

Exit mobile version