Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se duhet të luftohet pabarazia ndaj grave, në veçanti atyre të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, të cilat vazhdojnë të kenë sfida të mëdha në shkollim, punësim e përfshirje në proceset shoqërore. Ai ka marrë pjesë në Festivalin Multikulturor që u kushtohet këtyre komuniteteve, të cilëve u ka thënë se kauzat e tyre janë edhe të tij dhe se do t’i mbështesë ata drejt zhvillimit.
Kreu i institucionit ligjvënës ka thënë se gratë vazhdojnë të jenë më të diskriminuara në punësim dhe se një gjë e tillë tregon se duhet të luftohet ky fenomen.
Sipas Konjufcës gratë janë dyfish më të diskriminuara, dhe duhet të luftohet ky fenomen.
“Konsideroj që gratë janë dyfish të diskriminuara dhe me sfida shumë më të mëdha se problemet që i kemi të përgjithshme në Republikën e Kosovës, për arsye se kudo që ka diskriminim ndodh aty edhe një subdiskriminim. Merreni çdo statistikë të punësimit nëse punësimi i komuniteteve të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptasve, në raport me mesataren e papunësisë në Kosovë është shumë më e lartë si papunësi, nëse e merrni pastaj vetëm këtë si statistikë të izoluar dhe në vetvete dhe pastaj doni aty të nxjerrin statistike të tjera, e shihni se gratë edhe brenda të asaj mase të të papunëve janë më të papunat”, ka thënë Konjufca.
Ai ka premtuar mbështetje për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian, të cilëve gjithashtu ka thënë se duhet përkrahin gratë dhe vajzat e këtij komuniteti në mënyrë që ato të përfshihen në proceset shoqërore e në vendimmarrje.
Ndërsa drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe mos diskriminim, në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka prioritet krijimin e mekanizmit që nxit punësimin e komunitetit rom, ashkali e egjiptian.
Festivali Multikulturor sivjet shënon edicionin e tretë dhe ka për krye-temë gruan si arkitekte të shoqërisë.
Festivali synon që përmes aktiviteteve të ndryshme të ngrit vetëdijes rreth fuqizimit, sfidave, paragjykimeve dhe stereotipive që ë ndaj grave të këtyre komuniteteve.