UBT News

Konjufca: Konstituimi i Kuvendit mund të zgjasë, nuk po shkelet Kushtetuta e as situata s’është dramatike

Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka deklaruar se procesi i konstituimit të Kuvendit nuk po zhvillohet në kundërshtim me Kushtetutën, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës dhe duke theksuar se situata nuk është “dramatike”.

Sipas tij, konstituimi i Kuvendit mund të zgjasë më shumë se një ditë, ndërsa lidhur me interpretimet për afatin e seancës konstituive, ai vuri në pah mendimet e ndryshme të ekspertëve.

“Ne nuk mendojmë që është shkelur Kushtetuta. Për shkak të këtyre momenteve dhe proceseve, prej zgjedhjeve të shkurtit ka qenë duke u interpretuar. I patëm disa momente edhe vitin e kaluar kur ishin të paqarta. Diskutimi ka të bëjë me ditën e mbajtjes së seancës dhe a e përbën një entitet të vetëm dhe a duhet të përfundojë brenda 24 orëve mbajtja e seancës apo jo. Sipas disa ekspertëve, të cilët kanë interpretime të ndryshme, mund të zgjasë edhe më shumë se 24 orë. Kështu është duke ndodhur edhe tash, po zgjat më shumë se një ditë. Nuk është dramatike qysh po e interpreton opozita, është pjesë e formësimit të mëtejshëm kushtetues të vendit tonë. Kur do të thirret seanca, nuk mund ta caktoj unë”, u shpreh Konjufca para gazetarëve.

Më tej, Konjufca foli edhe për përpjekjet për dialog politik ndërmjet subjekteve parlamentare, duke konfirmuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do t’u drejtohet sërish partive opozitare si PDK, LDK dhe AAK për të gjetur një rrugëdalje.

“Unë mendoj që konstituimi mund të zgjasë më shumë se një ditë. Kurti do t’u drejtohet sërish, kurrë nuk do të lodhemi nga dialogu politik, do të vazhdojnë përpjekjet edhe PDK-ja, edhe LDK-ja e Aleanca. Çdo dëm që ju po e konsideroni është më i vogël se ajo çka pamë në seancë, dhuna ndaj kryeministrit dhe ndaj deputetëve tanë. A thonit keq edhe atëherë? Nëse është keq, është keq edhe kësaj radhe. Është më pak dëm sesa të shkohet në zgjedhje të reja, të dy këto dëme janë më të mëdha. Nuk është duke u shkelur Kushtetuta”, tha Konjufca. /Ekonomia Online/

Exit mobile version