UBT News

Konjufca: Fushata e dezinformimit nga Rusia dhe Serbia po tenton ta cenojë shtetësinë e Kosovës

Në konferencën “Demokracitë rezistente në epokën e informacionit”, të organizuar nga Ambasada e Finlandës në Prishtinë, u kërkua një angazhim gjithëpërfshirës për të luftuar fushatat e dezinformimit që kërcënojnë stabilitetin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Glauk Konjufca potencoi se Kosova është cak i sulmeve të qëllimshme nga jashtë, duke deklaruar se: “Po vazhdojmë të ballafaqohemi me fushata të dezinformimit që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Serbia, të cilat përpiqen të cenojnë shtetësinë tonë dhe keqësojnë realitetin”. Ai shtoi se këto përpjekje synojnë dobësimin e institucioneve dhe çorientimin e debatit publik.

Nga ana tjetër, ambasadorja e Finlandës, Eevamari Laaksonen, vuri theksin te rëndësia e mendimit kritik dhe edukimit medial si mjetet kryesore për mbrojtjen e demokracisë.

“Demokracitë tona janë reziliente jo pse e kufizojnë informacionin, por sepse qytetarët janë të aftë të bëjnë dallimin mes informacionit dhe dezinformatës”, tha ajo, duke e cilësuar edukimin medial si një investim afatgjatë që shpaguhet.

Rreziqet e teknologjisë së re u adresuan nga eksperti i komunikimit, Markku Mantila, i cili paralajmëroi se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale do ta vështirësojë edhe më shumë betejën për të vërtetën.

“Nuk do të bëhet më e lehtë nga ana jonë kur Inteligjenca Artificiale të zhvillohet më tutje. Do të jetë më e lehtë të gënjehet para audiencave”, u shpreh ai, duke vënë në dukje se interneti dhe mediat sociale janë shndërruar në mjete të fuqishme për përhapjen e shpejtë të dezinformatave në duart e grupeve të caktuara.

Foto: Kosova Press

 

Exit mobile version