Senati i SHBA-së, i cili kontrollohet nga republikanët, ka miratuar një masë që udhëzon Presidentin Donald Trump të ndërpresë luftën në Iran ose të kërkojë miratimin e Kongresit përpara se të vazhdojë veprimet ushtarake.
Disa senatorë republikanë iu bashkuan demokratëve në votimin e së martës, i cili përfundoi me rezultat 50-48. E njëjta masë u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së në fillim të këtij muaji.
Megjithatë, kjo rezolutë është kryesisht simbolike. Edhe pse ka kaluar në të dyja dhomat e Kongresit, ajo nuk do t’i dërgohet Trumpit për shqyrtim dhe nuk ka fuqi ligjore.
Ky vendim vjen në një kohë kur republikanët në Kongres kanë shprehur skepticizëm rreth një plani paqeje që Trump është dakorduar me Iranin, teksa ky konflikt jopopullor po i afrohet muajit të pestë.
Reagimi i Trumpit: “E pakuptimtë dhe në momentin e gabuar”
Trump e kritikoi rezolutën të martën mbrëma, duke e quajtur atë “të zgjedhur në momentin e gabuar dhe të pakuptimtë”.
“Pra, unë e kam Iranin ‘në litarë’ (gati për kapitullim)… dhe Senati i SHBA-së vendos të mbajë një votim të pakuptimtë dhe në moment të gabuar për Aktin e Fuqive të Luftës,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Këta senatorë sapo ma kanë vështirësuar punën, por unë do t’ia dal mbanë, në një mënyrë apo tjetrë, sepse unë gjithmonë ia dal!”
Ky votim shënon herën e parë që të dyja dhomat e Kongresit kanë miratuar një rezolutë të përbashkët (konkurrente) që udhëzon një president të përfundojë një aksion ushtarak, që prej kohës kur hyri në fuqi Rezoluta për Fuqitë e Luftës në vitin 1973.
Një rezolutë e përbashkët (konkurrente) shpreh vullnetin ose qëndrimin e Kongresit, ndryshe nga format e tjera të legjislacionit që i dërgohen presidentit për t’u nënshkruar si ligj. Në vitin 2019, Trump i kishte vënë veto një rezolute të përbashkët që bënte thirrje për tërheqjen e forcave të armatosura nga armiqësitë në luftën civile të Jemenit.
Analistja për Lindjen e Mesme, Laura Blumenfeld, e quajti këtë “më shumë si një dush të ftohtë sesa pranga, sepse nuk është ligjërisht e detyrueshme”. Megjithatë, ajo tha për BBC se kjo “pasqyron disponimin e popullit amerikan”.
Miratimi i kësaj rezolute është domethënës sepse rrit presionin mbi Shtëpinë e Bardhë për të gjetur një rrugëdrejtim drejt përfundimit të luftës në Iran, e cila është bërë jopopullore në opinionin publik pas rritjes së madhe të çmimeve të naftës.
Ndarjet brenda Partisë Republikane
E njëjta masë u miratua më herët gjatë këtij muaji nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së, ku katër republikanë iu bashkuan të gjithë demokratëve për ta miratuar atë me 215 vota pro dhe 208 kundër.
Megjithatë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për BBC se me armëpushimin e arritur më 7 prill, nuk ka luftime aktive nga të cilat duhet të tërhiqen forcat amerikane. Ky zyrtar shtoi gjithashtu se masa kaloi vetëm sepse dy senatorë republikanë ishin absente: Mitch McConnell dhe Dave McCormick.
Katër senatorë republikanë votuan pro rezolutës bashkë me demokratët: Rand Paul, Lisa Murkowski. Susan Collins, Bill Cassidy.
Në anën tjetër, senatori demokrat John Fetterman ishte i vetmi anëtar i partisë së tij që votoi kundër.
Kjo ishte shenja më e fundit e përçarjes mes bashkëpartiakëve republikanë të Trumpit përpara zgjedhjeve të rregullta për Kongres (midterm) në nëntor, të cilat do të përcaktojnë nëse partia mund të mbajë shumicën e saj të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit. Disa republikanë i kanë rezistuar presidentit kohët e fundit, përfshirë refuzimin e planeve të tij për të krijuar një fond “kundër-armatimit” prej 1.8 miliard dollarësh dhe miratimin e ndihmës për Ukrainën.
Beteja financiare dhe ligjore
Votimi i së martës ishte hera e dhjetë që demokratët në Senat kanë shtyrë përpara një votim për fuqitë e luftës që nga fillimi i konfliktit. Kjo erdhi në të njëjtën ditë kur Pentagoni i kërkoi Kongresit rreth 80 miliardë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave është për të paguar kostot e luftës me Iranin.
Ligji federal kërkon miratimin e Kongresit për të vazhduar aksionet ushtarake për më shumë se 60 ditë. Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit filluan më 28 shkurt, megjithëse administrata Trump ka argumentuar se armëpushimi i prillit e ka rinisur afatin nga e para. Shtëpia e Bardhë gjithashtu mund ta zgjasë afatin edhe për 30 ditë të tjera, duke u thirrur në sigurinë kombëtare.
Aktualisht, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord të vazhdojnë armëpushimin dhe po punojnë drejt përfundimit të armiqësive sipas një memorandumi mirëkuptimi që u nënshkrua nga presidentët e të dy vendeve javën e kaluar. Sipas atij memorandumi, Uashingtoni dhe Teherani kanë 60 ditë afat për të negociuar një marrëveshje më të gjerë për përfundimin e programit bërthamor të Iranit. /BBC/ /E.A/
