Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut e ka konfirmuar se teknologjia VAR do të implementohet në ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ndeshja e cila do të zhvillohet më 8 tetor (e enjte), me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, do të jetë vendimtare për të siguruar një “biletë” që dërgon në finalen e play off-it, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në mënyrë që drejtësia në këtë takim të ndahet sa më mirë që të jetë e mundur, është vendosur që në këtë takim të shqyrtohet edhe sistemi VAR – Video Assistant Referee, teknologjia ndihmëse gjatë vendimeve të referëve.
Fillimisht do të bëhet testimi i teknologjisë, e më pastaj dy orë para ndeshjes do të realizohet edhe testimi final. Sipas njoftimit zyrtar, në rast se do të ketë ndonjë problem teknik eventual në implementimin e këtij sistemi, teknologjia VAR nuk do të aplikohet./UBTNews