“Universi i Squid Game sapo ka filluar”. Këto ishin fjalët e bashkëthemeluesit të Netflix, Ted Sarandos, gjatë një konference për media për të ardhurat e tremujorit të katërt me investitorët. Ai tha se absolutisht do të ketë një sezon të dytë të serialit të popullarizuar të Netflix.
“Absolutisht. Universi i ‘Squid Game’ sapo ka filluar”, zbuloi Sarandos, duke treguar se fansat mund të shohin shumë më tepër sesa thjesht një sezon të ri.
Regjisori Hwang Dong-hyuk foli rreth sezonit të dytë qysh prej kur drama distopike u bë seriali më i shikuar në Netflix, dhe madje ka ngjallur dyshime për një sezon të tretë. Hwang krijoi, shkroi dhe drejtoi nëntë pjesët e serialit, të cilat arritën në më shumë se 142 milionë familje dhe u transmetuan më shumë se 1.6 miliard orë.
“Squid Game” u shfaq premierë në Netflix në muajin shtator, dhe mori lavdata dhe kritika njëkohësisht.
Ngjarja zhvillohet rreth një grupi njerëzish të zhytur thellë në borxhe. Për shkak të dëshpërimit, ata pajtohen të luajnë një lojë misterioze me mundësinë për të fituar shuma të mëdha të të hollash, duke mos e ditur se këto lojëra do t’i vendosin në situatë jete a vdekje./UBTNews