Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar zyrtarisht se pas analizave laboratorike është konfirmuar rasti i parë i sëmundjes virale “Lija e Deleve dhe Dhive” (Sheep Pox/Goat Pox) në një fermë në fshatin Sazli të Ferizajt.
Menjëherë pas këtij konfirmimi, këtë të mërkurë, Ministria e Bujqësisë ka vendosur masa të rrepta kontrolli që prekin kryesisht regjionin e Ferizajt dhe atë të Gjilanit.
Sipas vendimit të AUV-së, ndalohet plotësisht lëvizja e deleve dhe dhive nga fermat, tregtimi i tyre në tregje, si dhe shitblerja, ndërsa të gjithë menaxherët e tregjeve janë urdhëruar të pezullojnë punën për kafshët e imta.
Fermat ku është konfirmuar prezenca e virusit janë vendosur në karantinë të plotë, duke ndaluar çdo hyrje-dalje, ndërkohë që fermerët janë të obliguar të raportojnë çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve në numrin pa pagesë 0800 500 95.
Masat parashikojnë gjithashtu që komunat të përcaktojnë lokacione specifike për groposjen e kafshëve të ngordhura, ndërsa lëvizja lejohet vetëm nga fermat e lira direkt drejt thertoreve të licencuara me pëlqim paraprak të inspektorit.
Megjithëse lija e dhenve është një sëmundje shumë ngjitëse për kafshët dhe shkakton temperatura të larta e plagë në lëkurë, autoritetet qetësojnë qytetarët duke theksuar se kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk paraqet asnjë rrezik për njerëzit. Policia e Kosovës dhe inspektorët komunalë do të asistojnë në mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre masave urgjente në terren.
