UBT News

Konfirmohet përbërja e re e Komisionit Evropian – mandati nis më 1 dhjetor

Parlamenti Evropian me shumicë votash ka konfirmuar të mërkurën përbërjen e re të Komisionit Evropian, që në pesë vjetët e ardhshëm përsëri do të drejtohet nga Ursula von der Leyen.

Për përbërjen e re të Komisionit Evropian 370 deputetë votuan për, 282 ishin kundër, ndërsa 38 abstenuan.

Para votimit në seancë plenare u zhvillua një debat, në të cilin Ursula von der Leyen paraqiti edhe një herë përbërjen e Komisionit në mandatin e saj të dytë si presidente e ekzekutivit të BE-së.

Gjatë fjalimit, Von der Leyen premtoi se Komisioni do të angazhohet për një Evropë më të fortë, më të sigurt, e cila do të rrisë investimet për mbrojtje dhe do të vazhdojë punën drejt uljes së niveleve të ndotjes së ambientit, si dhe digjitalizimin dhe rritjen e konkurrencës së ekonomisë evropiane në skenën globale.

Parlamenti Evropian e kishte caktuar votimin për këtë seancë plenare pasi mes grupimeve kryesore politike ishte arritur pajtim për konfirmimin e të 26 komisionarëve të propozuar, ndërkohë që Von der Leyen ishte konfirmuar gjatë verës.

Të gjithë komisionarët më parë kaluan përmes seancave dëgjimore në komisionet përkatëse të PE-së dhe secili prej tyre ka marrë mbështetjen për të ushtruar postin e komisionarit në fushën që i është caktuar. Për herë të parë pas 25 vjetësh asnjë kandidat për anëtar të Komisionit Evropian nuk u refuzua nga komisionet e Parlamentit Evropian.

Mospajtimet ishin tejkaluar mes tri grupeve proevropiane, Partisë Popullore Evropiane (EPP) që është grupi më i madh, Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) që është grupi i dytë për nga madhësia dhe grupit të liberalëve, i cili ka shënuar rënie dhe është grupi i pestë për nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Këto tri grupe së bashku kishin shumicën e mjaftueshme për ta votuar në seancë plenare Komisionin e ri Evropian. Por, pavarësisht kësaj pati deputetë edhe nga këto grupime që votuan kundër konfirmimit të Komisionit Evropian. Ato vota pastaj u kompensuan me vota nga disa grupime të tjera politike si të gjelbrit, por edhe disa nga radhët e grupimeve të së djathtës ekstreme.

Me rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vitet e ardhshme pritet që më së shumti të merret komisionarja e ardhshme për zgjerim, Marta Kos, nga Sllovenia, dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas. Që të dyja, gjatë seancave dëgjimore, kanë premtuar se do të angazhohen që në pesë vjetët e ardhshëm zgjerimi i Bashkimit Evropian të bëhet realitet.

Ursula von der Leyen në fjalimin e saj tha se vendet kandidate, si ato nga Ballkani Perëndimor, ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, e kanë vendin në BE. Shefja e Komisionit Evropian përsëriti se pret nga komisionarja për zgjerim, Marta Kos, që të punojë për ta përgatitur BE-në për zgjerim dhe për t’i ndihmuar vendet kandidate që të avancojnë në procesin e integrimeve evropiane.

Von der Leyen tha se procesi i zgjerimit do të vazhdojë duke respektuar parimin e meritave individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave.

Përbërja e re e Komisionit Evropian ka 14 anëtarë nga Partia Popullore Evropiane (EPP) që është edhe grupi më i madh politikë në Parlamentin Evropian. Ndërsa liberalët do të kenë 5 anëtarë në Komisionin Evropian, edhe pse kanë shënuar rënie të madhe në zgjedhjet e fundit evropiane duke dalë në pozitën e pestë për nga numri i deputetëve në PE.

Socialistët dhe Demokratët, që mbeten grupi i dytë për nga madhësia në Parlamentin Evropian, kësaj radhe do të kenë vetëm 4 anëtarë në Komisionin Evropian.

Dy komisionarë vijnë nga radhët e partive të ekstremit të djathtë ndërsa një, Marosh Shefçoviq nga Sllovakia, nuk i takon asnjë grupimi pasi partia e kryeministrit sllovak është përjashtuar nga grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve për shkak të mospajtimeve në qëndrimet ndaj Rusisë dhe bashkëpunimit me të djathtën ekstreme.

Konfirmimi i përbërjes së re të Komisionit Evropian në seancën plenare të së mërkurës ka hapur mundësinë që mandati i ri pesëvjeçarë të nisë të dielën më 1 dhjetor. Ky mandat do të zgjasë deri në vjeshtën e vitit 2029. Po atë ditë, më 1 dhjetor, do të nisë edhe mandati i presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta.

Exit mobile version